Izraeli i ka liruar 90 të burgosur palestinezë të hënën në mëngjes, pasi tri pengje izraelite u liruan nga Hamasi në Gazë dhe u rikthyen në Izrael një ditë më parë.
Një autobus i madh i mbushur me të burgosur palestinezë u largua nga burgu Ofer i Izraelit, i cili ndodhet në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun e okupuar Perëndimor.
Ushtria izraelite, e cila e ka uzurpuar Bregun Perëndimor, i paralajmëroi palestinezët të mos festonin në publik, por turmat përcollën autobusët të cilët u larguan nga burgu, me disa prej tyre që u ngjitën mbi ta apo valëvuan flamuj, përfshirë atë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Sipas një liste të lëshuar nga Komisioni për Çështjet e të Burgosurve i Autoritetit Palestinez, të gjithë të liruarit janë gra ose adoleshentë, më i riu 15 vjeç. Izraeli tha se i kishte arrestuar ata për vepra që lidhen me sigurinë e Izraelit, nga hedhja e gurëve deri te akuza më serioze si tentativa për vrasje.
Lirimi i tri pengjeve izraelite dhe 90 të burgosurve palestinezë është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, që hyri në fuqi të dielën.
Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre të rrënuara, edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.
Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihmë humanitare kanë nisur të hyjnë në Gazë, pas nisjes së armëpushimit.
Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.
Ajo parasheh dhënien fund të luftës dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, ku militantët vranë 1.200 njerëz gjithashtu.
Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.
Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.
Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin ndërprerë luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.
Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.
Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.
Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë.
Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit.