Live

Strohmeyer thotë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës s’kishte ekzistencë ligjore

10:40 / 22 Janar 2025

Nga Kosova Live

Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.

Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari gjithashtu theksoi se ata nuk i kanë konsideruar fare dekretet apo vendimet e marra nga kjo qeveri. Pra, sipas tij, ato nuk kishin vlerë nga pikëpamja ligjore. Madje, pohoi se kjo vlente edhe për emërimet e bëra nga kjo qeveri.

Strohmeyer tha se është e saktë të thuhet që ata nuk iu kanë drejtuar Thaçit dhe Agim Çekut në bazë të pozitës që kanë mundur ta mbajnë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Në seancën e së mërkurës, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij, më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi, më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar, më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...