Fshati Gushavc ka ngelur pa energji elektrike që nga ora 10 e mëngjesit e deri më tani. Banorët e këtij fshati kanë protestuar, duke bllokuar rrugët për qarkullim.
Banorë të fshatit në kushte anonimiteti kanë thënë për Insajderin se nëpërmjet këtij vendimi, është shkelur një memorandum, ku njëra nga pikat thotë se faturimi i banorëve do të bëhet proporcionalisht me të gjitha pjesët e veriut.
Sipas tyre, KEDS po iu kërkon që ata të kryejnë pagesë retroaktive. Më saktësisht, të kryejnë pagesat për faturat që nga shkurti i 2024-ës.
Në adresë të Insajderit kanë ardhur pamje, ku shihen banorët duke bllokuar rrugët për qarkullim në shenjë pakënaqësie.
Kjo nuk është hera e parë që po iu ndalet rryma këtij fshati, që nga vendosja e orëve të rrymës nëpër fshatrat në veri.
I njëjti problem ndodhte edhe në dhjetor të 2024-ës.