Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar pas publikimit të letrës së tij drejtuar komandantit të KFOR-it lidhur me prezencën e FSK-së në veri, në të cilën shkruhet se FSK-ja do të shkojë në atë zonë vetëm me konsultim paraprak me KFOR-in, duke konfirmuar dhe u pajtuar me letrën që ia kishte dërguar kohë më parë NATO-s ish-kryeministri Hashin Thaçi.
Ai ka thënë se letra e plotë e publikuar nuk është asgjë e re, por një qëndrim i sqaruar më parë dhe së ajo është sqarim e jo rizotim.
“Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.
Maqedonci tutje ka përsëritur se nuk pajtohet personalisht me zotimin që FSK-ja të shkojë në veri vetëm me koordinim paraprak me KFOR-in.
“E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi”, ka thënë ai.