Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Bizneset e ndryshme shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.
Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundmi në një market në rrugën C në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Idriz Huseinin, 38-vjeçar.
Sinjali mëson se i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje dhe ka tentuar që të largohet me shpejtësi për të shpëtuar, por nuk ka arritur dhe është ndaluar nga punëtorët e marketit.
Posa rasti është denoncuar, Policia ka arritur të intervenojë dhe i njëjti është prangosur e shoqëruar në stacion policor.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se 38-vjeçari ka qenë në kërkim edhe për një rast të mëhershëm.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.