Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të martën në Skenderaj, ku një person ka tentuar që ta largojë nga varri trupin e babait të ndjerë. Si pasojë e sjelljeve të tij agresive, familja kërkoi ndihmën e Policisë, por zyrtarët policorë u përballën me sulm.
Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari është një 40-vjeçar, me probleme mendore, i cili u dërgua në mbajtje.
Fillimisht, bazuar në informacionet që ka Sinjali, i dyshuari kishte shkuar te varrezat në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, duke tentuar që ta dëmtojë varrin e babait.
Pasi një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari ka vazhduar me sjelljet e njëjta dhe më pas e ka sulmuar fizikisht një polic, duke e goditur me grusht e shqelma.
Policia e ka vënë situatën nën kontroll dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.