Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme ose në afërsi të këtyre institucioneve janë mjaft të shpeshta. Kështu dyshohet se ndodhi dje afër shkollës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, për çka Policia arrestoi disa vajza.
Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia, me ç’rast është bërë e ditur se tri të dyshuara janë dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për tri të mitura, të moshave 15 dhe 16 vjeç, të cilat kanë përfunduar në ndalim për 24 pasi dyshohen se e rrahën një vajzë tjetër.
Policia ka siguruar pamjet e përleshjes fizike që eskaloi për motive akoma të panjohura.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se të miturat janë intervistuar në Polici në prani të prindërve të tyre, ku kanë dhënë versionet se si ka ndodhur incidenti.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që tri të dyshuarat të ndalohen për veprën penale “Sulmi”.