Njëri nga të dyshuarit për incidentin me të shtëna me armë në Gojbulë të Vushtrrisë, që ndodhi në tetor të vitit të kaluar, është dorëzuar në Polici dhe tashmë ka përfunduar në paraburgim. Dy grupe u përfshinë në konflikt verbal që eskaloi në shkëmbi zjarri.
Mosmarrëveshja për një parcelë u bë mollë sherri mes tyre dhe për pasojë u shkrepën armën në mesditën e 2 tetorit 2024.
Për këtë rast, Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari Fatmir Gerbeshi ka vendosur të dorëzohet në Polici.
Me vendim të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje dhe brenda afatit ligjor është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku është vendosur që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndryshe, në këtë konflikt kanë qenë të përfshirë anëtarët e disa familjeve në fshatin Gojbulë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.