Qytetarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor u është bërë thirrje për një tjetër bojkot ditën e sotme.
Pasi bojkoti i mëparshëm shtatëditor i tre zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe tre produkteve në Kroaci nuk çoi në ulje të çmimeve, u vendos që të vazhdohet bojkoti në një raund të ri të një zinxhiri të shitjes me pakicë edhe për shtatë ditë të tjera.
“Nuk kemi vërejtur që çmimi i ndonjë produkti është ulur”. Vëmë re se edhe çmimet e disa produkteve janë rritur, prandaj po ecim përpara”, kanë thënë organizatorët e bojkotit në Kraoci.
Për të premten është paralajmëruar bojkot i përgjithshëm dhe kjo është e premtja e tretë radhazi në të cilën qytetarëve u bëhet thirrje që të abstenojnë praktikisht nga të gjitha format e blerjeve, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Platforma “Përshëndetje, Inspektor” u bëri thirrje qytetarëve kroatë që edhe një herë, si në një bojkot të përgjithshëm të premten, ashtu edhe në një bojkot javor të një zinxhiri të shitjes me pakicë, të tregojnë unitet dhe të bëjnë presion shtesë ndaj shitësve me pakicë, si dhe qeverisë.
Ndonëse Qeveria kroate ka vendosur të zgjerojë “bllokimin e çmimeve” nga 30 në 40 produkte të tjera, ose në gjithsej 70, si dhe për faktin se rrjetet e shitjes me pakicë kanë paralajmëruar ulje çmimesh për qindra produkte, apo disa mijëra, qytetarët mendojnë se kjo nuk është një masë e mjaftueshme.
Qytetarët shpenzojnë më pak dhe jo vetëm të premteve. Javën e kaluar, siç thuhet nga Administrata Tatimore Kroate, janë shpenzuar gjithsej 42 milionë euro më pak se një javë para bojkotit.