Live

Ekskluzive: Ky është kosovari i arrestuar për komprometimin e të dhënave bankare të 300 mijë personave në Belgjikë

14:10 / 07 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Hetimi disa mujor i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e po ashtu edhe me autoritetet në Belgjikë, ka rezultuar me zhvillimin e një aksioni në Prishtinë e Ferizaj, ku janë kryer bastisje në dy lokacione.

Kosovalive raportoi mbrëmë ekskluzivisht se personi që ishte cak në këtë operacion ra në prangat e Policisë dhe i njëjti dyshohet për veprimtari të kundërligjshme në Belgjikë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në ndalim policor është Ermal Haziri, rreth 21-vjeçar.

Haziri po dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare të klientëve në një bankë në Belgjikë, ku sipas dosjes është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm.

Sipas dosjes së rastit, të cilën e ka parë Sinjali, thuhet se i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, është përfshirë në këtë rast, që ka pasur cak komprometimin e të dhënave të kartelave bankare të hiç më pak se 300 mijë klientëve të bankës në fjalë në Belgjikë.

Veprimtaria e tij e jashtëligjshme ka vazhduar tutje me postimin e të dhënave që ka marrë nga kartelat bankare në një platformë online, me qëllim shitjen e tyre.

Siç ka marrë vesh tutje Gazeta Sinjali, gjatë aksionit Policia ka sekuestruar edhe prova materiale, si telefona, dokumente të ndryshme e kompjuterë – që do të shfrytëzohen si dëshmi në këtë çështje penale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarit dhe inicimin e hetimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...