Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë se raportimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike në këtë moment, janë të pavërteta. Mbrëmë u raportua se është kërkuar shtrenjtimi i energjisë elektrike rreth 35%, e sot pati raportime se tashmë edhe është marrë vendimi, që do të hyjë në fuqi nga 1 prilli.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ZRRE ka thënë se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale dhe se aktualisht po i vlerësojnë. Më pas thonë se do të publikohet raporti konsultativ.
“Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE. ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së.
Ndryshe, Kallxo.com raportoi mbrëmë se kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’ua lejojë rritjen e të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2025 me rreth 145 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Nga rreth 400 milionë euro sa kanë qenë të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2024, në vitin 2025 të hyrat maksimale janë kërkuar të jenë rreth 545 milionë euro. Pra, në total është kërkuar rritja e të hyrave për rreth 35%, një rritje që nëse miratohet atëherë do të përkthehet në shtrenjtim të energjisë elektrike.