Live

Baseli në vend të parë, Shaqiri: Nuk e mendojmë titullin ende

17:54 / 07 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Baseli e fitoi me vështirësi 2:1 derbin ndaj Luzernit të enjten mbrëma, ndeshje e cila i takoi xhiros së 22-të të elitës së futbollit të Zvicrës. 

Sfida u vendos nga dy penallti për të cilat u fol shumë, por të cilat u realizuan për mrekulli nga Xherdan Shaqiri. 

Pas 34 sekondave lojë, Baseli ishte në disavantazh 1:0, por golat nga Shaqiri në minutën e katërt dhe të 57-të, ia siguruan pikët e plota Baselit. 

Vendin e parë në tabelë po ashtu. 

Baseli ka 40 pikë në vendin e parë, dy më shumë se Lugano dhe katër më shumë se Luzerni i vendit të tretë. 

Shaqiri tani është i përfshirë në 22 gola të realizuar për Baselin. 

Ka 10 gola të shënuar e 12 asistime në 20 paraqitje. 

“Mendoj se e kemi merituar fitoren. Luajtën dy ekipe shumë të mira. Luzerni po ashtu i dëshironte pikët e plota, por në fund ne fituam me meritë. Më së shumti jam krenar për fitoren. Në fund të fundit, është gjëja më e rëndësishme në futboll”, ka deklaruar Shaqiri pas ndeshjes. 

Shaqiri është i lumtur që në stadium, tifozët janë në numër të shumtë dhe në përkrahje të madhe të skuadrës. Në mesin e tyre janë edhe familjarët e Shaqirit. 

“Kam ardhur te Baseli i uritur për suksese dhe dua të jem sërish i suksesshëm me Baselin. Dua ta mbaj zgjuar ekipin dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”. 

Shaqiri nuk shqetësohet shumë për statistikat personale. Për të e rëndësishme është që Baseli të jetë i suksesshëm. 

Por, titullin e 21-të të Baselit, kapiteni i skuadrës e sheh ende larg. 

“Ka qenë e rëndësishme të krijojmë një bazë. Tani jemi në krye të tabelës dhe kemi pak pikë më shumë ndaj skuadrave tjera. Kjo na jep motivim për ndeshjet e ardhshme. Por kemi shumë ndeshje para. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të punojmë shumë”, deklaroi Shaqiri.

Shpërndaje në

U Kopjua