Trepça e ka vazhduar dominimin në basketbollin kosovar. Të mërkurën mbrëma skuadra mitrovicase e fitoi Kupën e Kosovës për edicionin 2024/2025.
Në finalen, që në tre çerekët e parë ishte dramatike, Trepça e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 85:79.
Ndeshja finale u zhvillua në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Atmosfera ishte madhështore, ndërsa në palestër ishin tifozët e të dy skuadrave.
Për herë të katërt rresht Kupa e Kosovës shkon në Mitrovicë. Trepça gjithsej ka fituar Kupën tetë herë.
Edicionin e kaluar i fitoi gjithë trofetë, ndërsa këtë edicion tashmë ka Superkupën e Kupën.
Ndeshja u vendos në çerekun e katërt, të cilin mitrovicasit e dominuan plotësisht. Deri në dhjetëminutëshin e fundit, ndeshja ishte e fortë dhe thuajse e barabartë.
Çereku i parë përfundoi 24:22 për mitrovicasit. Në çerekun e dytë Bashkimi fitoi 19:18 dhe u afrua në një pikë pas pjesës së parë. Një treshe e Sammu Hunter në sekondën e fundit bëri dallimin në çerekun e tretë, i cili përfundoi 21:19 për mitrovicasit.
Në fillim të çerekut të katërt Bashkimi barazoi në 63:63. Më pas mitrovicasit u futën në seri 18:0 dhe u shkëputën në 81:63. Me këtë seri edhe u vendos finalja. Bashkimi u mundua të reagojë, por pa rrezikuar epërsinë e Trepçës.