Arrestimi i një personi të kërkuar në Pejë të mërkurën në mesditë, u përcoll me pengim dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë. Personi që ishte cak u prangos, ndërsa bashkë me të u arrestuan edhe dy persona. Tre policë pësuan lëndime si pasojë e këtij incidenti.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre personat që u kapën nga Policia janë Elvis Alushaj, vëllai i tij Altin Alushaj dhe Rinor Çeku.
I dyshuari i parë u arrestua nga Policia në bazë të një urdhërese aktive të lëshuar nga Gjykata, ndërsa dy të tjerët u arrestuan pasi kanë penguar Policinë dhe kanë sulmuar policët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Burimet e njëjta thonë se si rezultat i veprimeve të tyre, një zyrtar policor ka pësuar frakturë në këmbë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa lëndime më të lehta kanë pësuar dy policët e tjerë.
Megjithatë, Policia e ka vënë situatën nën kontroll dhe të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të dy veprave penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.