Live

“Uroj që Erion Veliajt t’i bëhet një gjyq i drejtë”, Edi Rama: Kush punon shumë, gabon

17:37 / 20 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur në një takim punonjësit e bashkisë Tiranë. Në një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ai u ndal edhe te arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj duke theksuar se shpreson që atij t’i bëhej një gjyq i drejtë.

“Që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë. Siç është Tirana europiane për të gjithë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të luftojmë. Këto dhimbje janë të padrejta, por nuk duhet të lëkundemi, përndryshe asgjë nuk ndryshon, ose ndryshon për keq, degradon, kalbet, siç u kalb Tirana. Kur në vitin 2000, unë hyra në Bashki dhe kishte vetëm 78 llamba neoni që ndizeshin nëpër Tiranë. Përfytyrojeni ju më të rinjtë dhe ata që jetojnë sot ku e ku me atë që jetonin dje. 78 llamba neoni fiks, asnjë më shumë. Nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike, Tirana dukej natën si një varrezë-qytet.

Që ta mbyll këtë parantezë, nuk më takon mua që Lali Eri është i pafajshëm ose fajtor. Pavarësish se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që të qëndroj në opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë ta zgjidhë këtë. Barra juaj është që makineria e Bashkisë së Tiranës mos të fiket në asnjë minutë. Vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë do të jetë e pandërprerë.

Uroj dhe dua të besoj akoma te pafajësia e tij, organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës një gjyq dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës brutale pa gjyq për kryebashkikë ose punonjës shteti në detyrë, kur nuk janë arrestuar në flagrancë ose kur nuk kanë çfarë provash të prishin”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Duke parashtruar shprehjen se kush punon shumë edhe gabon, Rama tha se edhe organet e drejtësisë s’kanë si të jenë të pagabueshme.

“Edhe drejtësia e re do të marrë vitet e saj deri sa të ndërtohet dhe njësoj si në të gjithë që në detyrën tonë bën gabime, bën me shumë gabime ai që punon më shumë se ai që s’di ç’është puna, dhe organet e drejtësisë nuk kanë si të jenë të pagabueshëm. E di se gabimet tona nuk shkatërrojnë punën, familje, interesat publike, siç ndodh kur gabon drejtësia, dhe të kërkosh nga një drejtësi e re me kaq pak kulturë europiane dhe në një klimë të hajvanizuar totalisht nga gjykatës dixhital dhe nga opozitarët kallajdaj, që të mos gabojë është njësoj si të hedhësh një fëmijë në ujë dhe t’i thuash mos u lag“, shtoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua