Live

Roma vazhdon të jetë në top-formë, sonte deklasoi Monzan 4-0

23:39 / 24 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Humbjen e fundit në Serie A, e kanë regjistruar më 15 dhjetor 2024, kur Como i mundi 2-0.

Nga ai moment, Roma nuk po di të pësojë, duke regjistruar plot shtatë fitore e katër barazime.

Ekipi nga kryeqyteti i Italisë, e deklasoi sonte Monzan me rezultat 4-0, për t’i grumbulluar 40 pikë kampionale, raporton Klankosova.tv.

Pa kaluar 10 minuta të plota, Alexis Saelemaekers i dha avantazhin romakëve.

Eldor Shomurodov e dyfishoi epërsinë në minutën e 32-të, për të shkuar skuadra e tij e qetë në pushimin mes dy pjesëve.

Në 3-0 rezultatin e çoi spanjolli, Angelino, i cili në minutën e 73-të e konkretizoi në gol, një asistim fantastik të Bryan Cristante.

Por ky i fundit nuk u mjaftua vetëm me pasimin që i bëri bashkëlojtarit të tij, por shtatë minuta më vonë shënoi edhe vetë, duke e vendosur rezultatin përfundmitar, Roma 4-0 Monza,

Pas këtij triumfi “Giallorossët” pozicionohen në vendin e nëntë në tabelë, por janë afruar te zonat evropiane.

Vetëm dy pikë qëndrojnë prapa pozitës që dërgon në Conference League, pesë është dallimi me atë të Europa League, kurse nëntë pikë janë larg vendit të katërt që siguron Ligën e Kampionëve.

Shpërndaje në

U Kopjua