Që nga 15 marsi, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar fushatën e tyre ajrore kundër rebelëve jemenas, Huthi, që mbështeten nga Irani. Uashingtoni ka pretenduar se ka goditur mbi 1.000 caqe.
Fushata ajrore synon të ndalë sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe të rrisë presionin ndaj Iranit, në mes të negociatave bërthamore.
Por, pavarësisht shkallës së sulmeve, analistët kanë ngritur pyetjen nëse kjo përpjekje ka shkaktuar ndonjë ndikim afatgjatë.
“Rebelët Huthi mbeten të vendosur”, tha Colin Clarke, drejtor për politika dhe kërkime në Grupin Soufan – që merret me këshillim për sigurinë dhe inteligjencën – me seli në Nju Jork.
Ai theksoi se përderisa një pjesë e infrastrukturës së rebelëve është shkatërruar dhe i është vrarë personeli, grupi duket se ka kthyer këtë fushatë në avantazhin e tij.
“Çdo humbje me gjasë do të jenë afatshkurtra dhe të përkohshme”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur forcimin e rekrutimit nga rebelët Huthi dhe mbledhjen e fondeve.
Jeremy Binnie, analist për mbrojtje në Lindjen e Mesme në kompaninë e inteligjencës, Jasen, shtoi se aftësia e rebelëve që vazhdimisht të kryejnë sulme – veçmas ndaj Izraelit dhe dronëve amerikanë – minon pretendimet e SHBA-së se ka degraduar kapacitetet e tyre.
“Po bëhet gjithnjë e më e turpshme për SHBA-së, sa herë që rebelët Huthi sulmojnë Izraelin ose rrëzojnë një MQ-9”, tha Binnie.
Një pranim i bërë së voni nga Marina amerikane, se një avion luftarak, i llojit F/A-18, ra nga aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman gjatë një manovrimi për të shmangur një sulm ajror të rebelëve Huthi, vetëm ka përforcuar perceptimin se grupi vazhdon të paraqesë një rrezik të madh.
Ndërkaq, grupi ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit, duke marrë përgjegjësinë më 2 maj për dy sulme ajrore që nxitën Forcat e Mbrojtjes të Izraelit të zmbrapsin dy sulmet dhe të aktivizojnë sirenat paralajmëruese në mbarë vendin.
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane insiston se fushata ka degraduar ritmin dhe efikasitetin e sulmeve të rebelëve Huthi.
“Lëshimet e raketave balisitke kanë rënë për 69 për qind. Për më tepër, sulmet me dronë kanë rënë për 55 për qind”, tha Komanda Qendrore përmes një njoftimi më 27 prill. “Irani pa dyshim vazhdon të ofrojë mbështetje për rebelët Huthi. Rebelët und të vazhdojnë të sulmojnë forcat tona vetëm me përkrahjen e regjimit iranian”.
A kanë ndikuar sulmet në raportet me Iranin?
Analistët paralajmërojnë se sulmet mund të kenë efekt të kundërt në dinamikat rajonale, duke i afruar rebelët Huthi më shumë me Iranin në vend se t’i izolojnë.
Grupi – i njohur zyrtarisht si Lëvizja Ansarallah dhe i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – është anëtar kyç i atij që njihet si “boshti i rezistencës” i Iranit – një rrjet aktorësh joshtetërorë, që është përballur me humbje vitin e kaluar.
Por, që nga shpërthimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi kanë rritur rolin e tyre brenda kësaj aleance, duke marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Izraelit dhe ndaj anijeve të lidhura me Izraelin, sulme që kanë thënë se i kanë kryer në shenjë solidariteti me palestinezët.
Përderisa rritja e ndikimit të tyre u ka mundësuar njëfarë autonomie, ekspertët thanë se ata mbeten thellësisht të varur nga Irani për armë dhe mbështetje strategjike.
“E dimë shumë mirë se çfarë mund të bëjë Ushtria amerikane – dhe jeni paralajmëruar”, shkroi në X më 1 maj sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Iranit. “Do të paguani pasojat në kohën dhe vendin që ne do të zgjedhim”.
Megjithatë, Clarke argumentoi se sulmet mund vetëm të kenë thelluar aleancën Huthi-Iran.
“Sulmet i kanë afruar rebelët Huthi me Iranin”, tha ai, duke shprehur dyshime nëse një marrëveshje bërthamore në të ardhmen do të ndryshonte sjelljen e Teheranit.
Edhe Binnie u shpreh skeptik sikurse Clarke. “Zyrtarët amerikanë mund të shpresojnë se fushata i bën presion Iranit”, tha ai, “por është e vështirë të thuhet nëse kjo po ndodh”.
Rundi i katërt i bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së fillimisht ishte paraparë të mbahej në Romë më 3 maj, por u shty për shkak të, siç thanë ndërmjetësit nga Omani, “arsyeve logjistike”.
Pas javësh bombardime të vazhdueshme, SHBA-ja nuk duket se është afër ndalimit të sulmeve ndaj rebelëve jemenas apo dobësimit të mbështetjes politike që ata kanë, duke ngritur pyetje lidhur me vlerën strategjike të kësaj fushate.