Live

Trump thotë se me çmimet më të ulëta të naftës, Putini është më i etur për të zgjidhur luftën në Ukrainë

08:26 / 06 Maj 2025

Nga Kosova Live

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se si Rusia ashtu edhe Ukraina janë të interesuara ta përfundojnë luftën, ndërsa shtoi se presidenti rus Vladimir Putin është treguar më i hapur ndaj paqes pas rënies së fundit të çmimit të naftës.

“Mendoj se Rusia, me çmimin e naftës që ka rënë shumë, është në një pozitë që dëshiron marrëveshje. Edhe Ukraina po ashtu”,  tha Trump të hënën para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Nafta, burimi kryesor i të ardhurave për ekonominë ruse, ka pësuar rënie me rreth 15 dollarë për fuçi që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, OPEC+ ka paralajmëruar rritje të përshpejtuar të prodhimit të naftës, sipas burimeve për Reuters.

“E kemi përparuar shumë këtë çështje, dhe ndoshta diçka do të ndodhë, shpresoj që po”,  shtoi Trump, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Putin kishte urdhëruar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe përplasjen më të madhe mes Moskës dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.

Qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose plagosur. Trump, i cili shpesh e cilëson këtë konflikt si një “gjakderdhje” që duhet ndalur, e ka paraqitur luftën si një përplasje të tërthortë mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ai theksoi se Putin kishte propozuar një armëpushim treditor për të shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Siç e dini, Presidenti Putin sapo ka shpallur një armëpushim për tri ditë – nuk duket shumë, por është e rëndësishme nëse e dimë prej nga kemi filluar”,  tha Trump. “Kjo është një luftë që s’duhej të kishte ndodhur kurrë”.

Trump gjithashtu pretendoi se numri i viktimave është shumë më i lartë sesa raportojnë shumica e mediave, ndonëse as Rusia e as Ukraina nuk publikojnë shifra të sakta për humbjet.

Kur u pyet nëse do të urdhëronte një hetim për shpërthimin e tubacioneve të gazit Nord Stream në vitin 2022, Trump u shpreh me skepticizëm për akuzat ndaj Rusisë.

“Thanë se Rusia e hodhi në erë, po”,  tha Trump me një ton dyshues. “Mendoj se shumë njerëz e dinë kush qëndron pas”.

Raportime të mediave si The New York Times, The Washington Post dhe Wall Street Journal kanë lënë të kuptohet se Ukraina mund të ketë qenë e përfshirë në sulm, megjithëse Kievi e ka mohuar kategorikisht këtë. Nga ana tjetër, Rusia ka fajësuar Perëndimin,  përfshirë SHBA-në dhe Britaninë – por pa ofruar prova konkrete.

Zëdhënësi i Kremlinit tha të hënën se një takim i mundshëm ndërmjet Trump dhe Putinit në Arabinë Saudite “do të ishte i nevojshëm”, por shtoi se Putin nuk ka plane për vizita në Lindjen e Mesme në mes të majit.

Trump ka bërë të ditur se planifikon të vizitojë Arabinë Saudite në atë periudhë.

Shpërndaje në

U Kopjua