Live

Dy aksidente brenda pak minutash në Elbasan, një i vdekur dhe dy të plagosur

11:15 / 06 Maj 2025

Nga Kosova Live

Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit duke sjellë pasoja të rënda për jetën.

Sipas burimeve jo zyrtare të Top Channel, një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së automjeteve.

Aksidenti  më e rëndë ka ndodhur në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, konkretisht në segmentin rrugor Xibrakë–Labinot Fushë ku dy automjete janë përplasur mes tyre me një shpejtësi të konsiderueshme. Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë janë dëmtuar rëndë dy persona, të cilët u transportuan me urgjencë në spital. Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në ambientet spitalore.

Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në Kthesat e Murrashit, ku një automjet ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja serioze për drejtuesin e mjetit. Megjithatë, incidenti ka shtuar shqetësimet për sigurinë rrugore në këtë zonë.

Rrethanat e plota dhe shkaqet e saktë të këtyre ngjarjeve nuk janë ende të qarta, ndërsa grupet hetimore ndodhen në vendngjarje për të kryer verifikimet përkatëse. Paraprakisht dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu në zona të ndryshme të qarkut, kanë ndikuar në përkeqësimin e kushteve të qarkullimit dhe për pasojë në shtimin e rrezikut të aksidenteve.

Qarkullimi në akset rrugore të Elbasanit vijon të jetë i vështirë dhe kërkohet kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve, sidomos në segmentet me kthesa dhe pamje të kufizuar. Autoritetet rrugore kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe uljen e shpejtësisë, veçanërisht në kushtet e motit të keq./TopChannel

Shpërndaje në

U Kopjua