Teksa në Shqipëri po afrohet dita e zgjedhjeve parlamentare, janë raportuar 3 raste të parregullta lidhur me procesin elektoral.
Policia e Lezhës bën me dije se 3 persona janë proceduar penalisht. Përkatësisht, një 24 vjeçar i cili ka publikuar në TikTok foton e fletës së plotësuar të votimit. Ky i fundit, emigrant në Gjermani.
Së dyti, një kandidat për deputet i PD-së në Lezhë. 55 vjeçari Gjin Gjoni po procedohet për “shpifje” pasi ka publikuar në Facebook një postim në të cilin thotë se 5 simpatizantë socialist janë implikuar në blerje votash e intimidim zgjedhësish.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasin Gj. P., 38 vjeç, banues në fshatin Kolsh, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Z., me detyrë Zëvendëskryertar i bashkisë Lezhë, se 38-vjeçari, për motive që lidhen me fushatën elektorale, ka penguar me automjetin e tij, lëvizjen e mjeteve në fshatin Kolsh”, njofton Policia për rastin e 3-të, raporton Tv Klan.