Pas zgjedhjes së Friedrich Merz si kancelari i ri i Gjermanisë, udhëheqës të shumtë botërorë kanë reaguar me urime dhe mesazhe bashkëpunimi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte një ndër të parët që uroi Merzin, duke shprehur shpresën për “më shumë lidership gjerman në çështjet evropiane dhe transatlantike”.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në një mesazh në gjermanisht – Herzlichen Glückwunsch! – tha se “po pret me padurim punën tonë së bashku në një agjendë ambicioze të përbashkët evropiane”.
Kancelari austriak Christian Stocker nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit fqinjësor: “Një kufi i përbashkët do të thotë gjithashtu përgjegjësi e ndarë – unë pres me padurim bashkëpunim miqësor midis nesh dhe qeverive tona”.
Mesazhe urimi erdhën edhe nga kryeministrja estoneze Kristen Michal, e cila theksoi se “një Gjermani e fortë dhe e begatë forcon të gjithë Evropën”, ndërsa homologu i saj suedez Ulf Kristersson shtoi se “Gjermania është një vend me të njëjtat mendime dhe një fqinj i besuar”.
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, e cilësoi rolin e Merzit si thelbësor për stabilitetin: “Roli dhe lidershipi i Gjermanisë janë vendimtare në mbrojtjen e sigurisë së Evropës”.
Ndërkohë, kryeministri çek Petr Fiala vlerësoi qëndrimin e përbashkët me Merzin për migracionin dhe sigurinë: “Kancelari dhe unë ndajmë një pikëpamje të përbashkët mbi nevojën për të trajtuar migracionin e paligjshëm, për të forcuar mbrojtjen dhe sigurinë, dhe për të siguruar që Evropa të mbetet konkurruese”.
Nga Lituania, presidenti Gitanas Nausėda theksoi rëndësinë e aleancës: “Së bashku ne mbështesim sigurinë, demokracinë dhe një aleancë të fortë”, duke përkujtuar edhe “momentin historik të 70 viteve të anëtarësimit në NATO” të Gjermanisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmbylli listën e urimeve me një mesazh personal: “Një mik dhe ekspert i provuar për Evropën”, duke premtuar bashkëpunim të ngushtë për “një Evropë të fortë dhe më konkurruese”.