Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pritet të zhvillojë më 9 maj një bisedë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për një sërë temash që përfshijnë marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, raportojnë mediat serbe.
Deklarata u bë nga ndihmësi i presidentit rus, Jurij Ushakov, i cili sipas agjencisë Interfax, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Veç bisedimeve për çështjet dypalëshe, do të shkëmbehen edhe mendime për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Ushakov.
Sipas raportimeve, Vuçiq ishte planifikuar të udhëtojë drejt Moskës më 8 maj për të marrë pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores, por vizita është bërë e pasigurt për shkak të një ndërprerjeje të papritur të udhëtimit të tij në SHBA për arsye shëndetësore.
Megjithatë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabić, ka lënë të kuptohet se Vuçiq do të qëndrojë pranë angazhimeve të tij ndërkombëtare, duke thënë: “Presidenti e mban fjalën e dhënë”.