Zyrtarët pakistanezë kanë konfirmuar se ka nisur kundërsulmi ndaj Indisë, i cili po zhvillohet nën emrin Operacioni Bunyan Ul Marsoos, që në arabisht do të thotë “muri prej plumbi”.
Siç thuhet në raportin e The Guardian, sulmet hakmarrëse të Pakistanit – pas akuzave ndaj Indisë për goditjen e tre bazave ushtarake – përbëjnë një përshkallëzim të madh të konfliktit në rritje mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.
Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze tha gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror në orët e para të së shtunës se India kishte shënjestruar bazën Nur Khan, bazën Murid dhe atë Shorkot, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Sinjali.
Gazetarët Shah Meer Baloch dhe Hannah Ellis-Petersen raportojnë se baza ajrore Nur Khan në Rawalpindi, ku ndodhet edhe selia qendrore e ushtrisë, ndodhet rreth 10 kilometra nga kryeqyteti pakistanez, Islamabad. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin flakë dhe tym të dendur që ngrihej në qiellin e natës.
Sulmet e hershme të mëngjesit në Nur Khan, në qytetin e dendur me popullsi të Rawalpindit, shkaktuan panik të madh, me qytetarë që vraponin të frikësuar nëpër rrugë.
Përpjekjet e Indisë për të goditur Rawalpindin dhe bazat tjera kyçe ushtarake – si dhe nisja e kundërsulmit nga ana e Pakistanit të shtunën – përbëjnë përshkallëzimin më të rëndë të përplasjes së tyre deri më sot, duke i afruar dy shtetet më pranë luftës se sa kanë qenë në dekada.