Policia e Shtetit ka bërë të ditur se një shtetas shqiptar ka publikuar një fotografi të votës në rrjete sociale dhe më pas është arrestuar.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se personi në fjalë është 34-vjeçar me inicialet R.F., banues në Tiranë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’”.
“Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale”.
“Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.