Klubi i futbollit Lipjani 01, ka bërë një reagim ndaj akuzave që bëri ndaj tyre dje “Pro Prishtina”, se një lojtar i mitur është kërcënuar.
Edhe këta të fundit tashmë janë tërhequr nga akuza e tillë, duke i thënë Klanit se kishin shkruar nën “afekt” dhe se situata nuk është e tillë në realitet, raporton Klankosova.tv.
Në një deklaratë dërguar për Klan Kosovën, ky klub mohon se kanë kërcënuar për vrasje 11 vjeçarin.
Gjithçka ndodhi dje kur shkolla e futbollit “Pro Prishtina”, njoftoi në rrjete sociale se gjatë një ndeshje të grupeve U13 B dhe U15 B kundër FC Lipjanit, një lojtar i tyre 11-vjeçar është sharë, ofenduar e kërcënuar nga tifozët vendas.
Megjithatë kjo akuzë është tërhequr nga kjo shkollë, duke e larguar edhe postimin nga facebooku.
Zyrtarë të Lipjanit 01 kanë thënë për Klankosova.tv, se rasti është paraqitur në Polici, pasi akuza ishte e rëndë dhe e paqëndrueshme, duke fyer klubin, meqenëse nuk ka pasur asnjë kërcënim për asgjë, e lërë më për vrasje të një 11 vjeçari!
Pas këtij veprimi, nga ky klub thonë se Pro Prishtina ka hequr postimin dhe ka kërkuar falje tek trajnerët e klubit.