Një ngjarje ka ndodhur mbrëmë pranë urës tek “Pallati me Shigjeta” në Tiranë, ku dy automjete janë përfshirë në një aksident dhe sherr me leva.
Sipas dëshmitarëve, një BMV X5 me targa angleze ka qenë duke ndjekur me shpejtësi një Mercedes-Benz me targa AB 090 FA.
Gjatë ndjekjes, është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ndërsa mjetet në fjalë kanë aksidentuar edhe dy automjete të tjera, përkatësisht një Volvo dhe një makinë tjetër që ndodheshin në rrugë.
Pas përplasjes, autorët kanë braktisur automjetet e tyre mbi urë dhe kanë vijuar ndjekjen në këmbë, të armatosur me leva hekuri dhe pistoleta, raporton JOQ Albania, transmeton Klankosova.tv.
Shoferi i Mercedesit është parë duke vrapuar nëpër lagje për t’i shpëtuar ndjekjes, ndërsa personat në X5 janë parë duke e ndjekur me armë në dorë, sipas raportimeve të banorëve.
Aktualisht, nuk dihet për persona të plagosur, por dy automjete janë dëmtuar rëndë në vendngjarje.
Policia e Shqipërisë është paraqitur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.