Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar se synon që Glauk Konjufcën ta bëjë ministër në rast se e formon qeverinë “Kurti 3”.
Në një intervistë për televizionin publik, ai tha se Konjufa po kthehet në ekzekutiv e Haxhiu në legjislativ.
“Ne kemi marrë vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit, ndërkaq Glauk Konjufcën jemi marrë vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, tha Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti e pranoi se për ta bërë qeverinë e re, do t’i duhet të bëjë kompromise e koncesione.
“Kur formohet qeveria, do të na duhet të bëjmë koncesione e kompromise, dhe këtu natyrisht që ne do t’i bënim sërish bisedat me të tjerët e natyrisht para së gjithash me pakicat që tashmë i kemi si vota për Albulena Haxhiun dhe me të cilët kemi bashkëqeverisur deri më tani, dhe me Nismën me të cilën kemi pasur takime. Ndërkaq sa i përket konstituimin e Kuvendit, unë them që ta ruajmë shëndetin e demokracisë në Kosovë, të mos ia imponojmë propozimet njëri –tjetrit, sepse nëse partitë opozitare përzgjedhin brenda Vetëvendosjes e LVV-ja të përzgjedhë brenda partive opozitare, atëherë ne do të përfundojmë që një kryesi ku partitë që i kanë të deleguarit e vet janë jo mjaftueshëm të kënaqur me ta ose me to. Le të mos ta bëjmë këtë lojë negative. Ne duhet ta respektojmë propozimin e njëri-tjetrit dhe ta kemi një kryesi meritore të Kuvendit”, tha Kurti.