Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka komentuar bllokadën e vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës, ku përpjekjet për krijimin e institucioneve janë ndërprerë tash e 21 herë.
Ai për GazetaBlic theksoi se ndërprerjet e tilla janë të zakonshme në sistemet parlamentare, por ajo që po ndodh në Kosovë është tejet e zgjatur dhe e dëmshme.
“Ndërprerjet e gjata për formimin e qeverive në sistemet parlamentare janë të zakonshme. Demokracia, ndonjëherë, është armiku i vetvetes. Por ndërprerja në Kosovë po zgjat më shumë seç duhet”, tha Serwer.
Ai theksoi se mospajtimi dhe paaftësia e liderëve politikë për të arritur një marrëveshje të përbashkët po e dëmtojnë imazhin dhe të ardhmen e Kosovës.
Serwer apeloi për një nga liderët e Kosovës që të tregojë gatishmëri për kompromis, duke marrë nismën për një zgjidhje dhe duke fituar kredite elektorale për këtë veprim.
“Kjo nuk është krizë e shtetit, i cili mbetet i qëndrueshëm, por krizë e klasës politike. Mospajtimi dhe dështimi i saj për të gjetur një zgjidhje të përbashkët po dëmton imazhin dhe të ardhmen e Kosovës. Mendoj se ka ardhur koha që njëri prej “të rriturve në dhomë” të marrë kredite elektorale duke treguar gatishmëri për kompromis. Nuk e di kush mund të jetë ai”, tha Serwer.