Sot janë bërë katër muaj nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Lidhur me këtë, ka reaguar deputetja e betuar e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila thotë se në këta katër muaj ,Kosova po vazhdon të jetë pa parlament funksional dhe rrjedhimisht pa institucione që do të duhej të adresonin sfidat reale dhe të përditshme të qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, kjo situatë po vazhdon për shkak të barrikadimit kokëfortë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tashmë në 29 seanca të thirrura, inati ka zëvendësuar arsyen. Kjo për shkak të barrikadimit kokëfortë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, në mungesë të shumicës, po përpiqet të imponojë vullnetin e saj si normë. Diktati nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i ligjshëm i qeverisjes demokratike”.
Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, sipas Çitakut duhet të marrë fund.
“Edhe njëherë, i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë. E drejta për të zgjedhur dhe për të pasur institucione funksionale nuk është privilegj i dhuruar, por është e drejtë e fituar me mund, djersë dhe sakrificë”, u shpreh tutje deputetja.