Live

Skandali me subvencionet e MPJD-së: Paratë shpenzohen pa kontroll dhe pa dokumentacion

14:18 / 10 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar dobësi serioze në menaxhimin e subvencioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për vitin 2024, ku nga një buxhet prej 1,241,200 eurosh për subvencione dhe transfere, janë shpenzuar rreth 1.168.623 euro, kryesisht për projekte që përkrahin diasporën.

Sipas rregullores nr. 04/2017 për financimin publik të organizatave joqeveritare, MPJD-ja është e detyruar të kërkojë dokumentacion të plotë tatimor dhe raporte financiare nga përfituesit e subvencioneve. Por gjatë auditimit, ZKA zbuloi se kjo nuk po zbatohet si duhet.

Në rastin e projektit “Kampi Rinor me të Rinjtë nga Zonat Rurale të Kosovës dhe Diasporës” me vlerë 17,500 euro, përfituesi paraqiti një vërtetim tatimor të skaduar dhe nuk siguruan dëshmi për deklaratat tatimore të dorëzuara, as raportin financiar e as atë narrativ, siç parashikon kontrata.

Sipas auditorit, këto shkelje janë rezultat i dobësive të dukshme në kontrollet e brendshme të MPJD-së, e cila edhe pse kishte përgatitur planin vjetor të mbështetjes financiare për 2024, nuk e kishte dorëzuar atë në Zyrën e Kryeministrit, siç kërkohet me rregullore, shkruan Demokracia.com.

Kjo gjendje ngre dyshime serioze mbi transparencën dhe llogaridhënien në përdorimin e fondeve publike dhe rrezikon që paratë të shkojnë te subjekte që nuk përmbushin kriteret ligjore. Mungesa e raportimit dhe kontrollit adekuat mund të komprometojë arritjen e qëllimeve për të cilat janë destinuar këto mjete.

ZKA rekomandon që Ministria të ndërmarrë masa urgjente për përmirësimin e monitorimit dhe kontrollit të procesit të subvencionimit, duke garantuar se vetëm përfituesit që plotësojnë kriteret e qarta do të marrin mbështetje financiare dhe që paratë publike të përdoren siç duhet.

Menaxhmenti i MPJD-së ka pranuar gjetjet e auditimit dhe është zotuar të përmirësojë proceset, por mungesa e veprimeve konkrete deri më tani lë vend për dyshime mbi seriozitetin dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e këtyre fondeve.

Shpërndaje në

U Kopjua