Deputetët e betuar kanë dështuar që dhjetëra herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Sot është hera e 31-të për një përpjekje të tillë dhe seanca është caktuar të fillojë në orën 11:00.
Çështja është bllokuar te emri i kryetarit të Kuvendit dhe as këtë herë s’ka asnjë sinjal për zhbllokim të situatës.
VV po insiston të vazhdojë me procesin e komisionit të fshehtë për votimin e kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut, ndërsa partitë e tjera ish-opozitare janë kundër, duke e quajtur atë figurë përçarëse.
Zhvillimet e ditës së sotme mund t’i ndiqni LIVE në Klan Kosova.
10:56 – Reçica: Përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje
Elmi Reçica nga radhët e PDK-së, ka folur para nisjes së seancës së 31-të.
Ai theksoi se përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje, njofton Klankosova.tv.
“A është tepruar është tepruar, a po ndihemi ne keq, unë veçanërisht po, a ka mundësi me dalë prej situatës, po, por përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje”, tha ai.
10:55 – A mori LDK-ja ndonjë përgjigje për Qeverinë e Unitetit? Flet Armend Zemaj
Deputeti i betuar i LDK-së, Armend Zemaj është deklaruar pak para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës.
Ai u pyet rreth marrjes së ndonjë përgjigje lidhur me propozimin e LDK-së për një Qeveri të Unitetit, transmeton klankosova.tv.
“Jo, ende nuk ka diçka zyrtare në këto momente”, u shpreh Zemaj.
10:48 – Brahimaj: S’e kam pa 15 pikëshin e Qeverisë së Unitetit, dje ka qenë Dita e Çlirimit
Lahi Brahimaj nga AAK, është deklaruar pak para seancës së 31-të konstituive të Kuvendi të Kosovës.
Ai u pyet rreth propozimit të LDK-së për Qeveri të Unitetit, ku Brahimaj tha se nuk i ka parë 15 pikat që janë shpalosur gjatë ditës së enjte.
“Dje ka qenë dita e Çlirimit, jemi marr me të”, tha Brahimaj, duke uruar edhe një herë këtë ditë të rëndësishme.
Ndërsa sa i përket zhbllokimit të situatës, ai kërkoi zgjidhje si nga partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurti, ashtu edhe nga ish-opozita.
Po ashtu ai tha se’ askush se ka menduar që do të provohet 31 herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.