Departamenti amerikan i Shtetit sot ka ngritur paralajmërimin për udhëtimet drejt Izraelit në nivelin më të lartë, duke u rekomanduar shtetasve amerikanë që të mos udhëtojnë drejt këtij shteti, shkruan CNN.
Paralajmërimi i Nivelit 4 u lëshua si përgjigje ndaj vendimit të Departamentit të Shtetit për të autorizuar largimin vullnetar të familjarëve të personelit të qeverisë amerikane, si dhe të punonjësve jo emergjentë, në mes të sulmeve të ndërsjella mes Izraelit dhe Iranit.
Ambasada amerikane njoftoi dje se, “për shkak të situatës aktuale të sigurisë dhe konfliktit të vazhdueshëm mes Izraelit dhe Iranit, të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane dhe familjarët e tyre duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të strehuar në ose pranë rezidencave të tyre deri në një njoftim të dytë.”
Udhëzimet e reja
Departamenti i Shtetit u bën thirrje qytetarëve amerikanë të mos udhëtojnë drejt Izraelit, “për shkak të konfliktit të armatosur, terrorizmit dhe trazirave civile.”
Gjithashtu, u këshillon të mos udhëtojnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.
Më parë, paralajmërimi për Izraelin dhe Bregun Perëndimor ishte në Nivelin 3: Rishqyrtoni udhëtimin, “për shkak të terrorizmit dhe trazirave civile.”
Në paralajmërimin e përditësuar thuhet:
“Situata e sigurisë në Izrael, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, është e paparashikueshme, dhe qytetarëve amerikanë u kujtohet të jenë vigjilentë dhe të marrin masa për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për sigurinë, pasi incidentet e sigurisë – përfshirë zjarrin me mortaja e raketa, depërtimin e dronëve të armatosur dhe raketat – mund të ndodhin pa asnjë paralajmërim.”