Një komandant i lartë i ushtrisë iraniane paralajmëroi të martën se sulmet e Iranit kundër Izraelit do të intensifikohen në orët e ardhshme, raporton Reuters duke cituar raportet e agjencisë së lajmeve IRNA, ndërsa Irani dhe Izraeli mbeten të bllokuar në shkëmbimin e sulmeve për të pestën ditë.
Media iraniane raportoi gjithashtu se mjekët dhe infermierët janë thirrur nga “pushimi” për të kryer detyrat e tyre, raporton AFP.
Më herët të martën, u dëgjuan shpërthime fuqishme mbi Tel Aviv dhe Jerusalem, raportuan gazetarët e AFP, pasi sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në disa pjesë të Izraelit dhe ushtria paralajmëroi për raketa iraniane që po vinin.
“Pak kohë më parë, sirenat u dëgjuan në disa zona në të gjithë Izraelin pas identifikimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt shtetit të Izraelit”, tha ushtria në një deklaratë.
Ajo shtoi se forca ajrore po “operonte për të kapur dhe goditur ato, aty ku ishte e nevojshme për të eliminuar kërcënimin”.
Rreth 20 minuta më vonë, ushtria lëshoi një deklaratë duke thënë se njerëzve u lejohej të largoheshin nga hapësirat e mbrojtura në disa zona në të gjithë vendin.
Ajo theksoi se ekipet e kërkim-shpëtimit po vepronin në disa vende ku “u morën raporte për predha të rëna”.
Pavarësisht thirrjeve në rritje drejtuar armiqve të hershëm për t’i dhënë fund armiqësive, as Izraeli dhe as Irani nuk treguan shenja të ndërprerjes së sulmit me raketa që filloi të premten, kur Izraeli nisi një seri të paparë sulmesh ajrore që synonin objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane.
Irani tha se shkatërroi objektiva strategjikë në Izrael gjatë natës duke përdorur dronë, ndërsa sulme intensive midis armiqve të përbetuar vazhduan për të pestën ditë të martën.
“Lloje të ndryshme dronësh shkatërrues, të pajisur me kapacitete të sakta shkatërrimi dhe synimi, shkatërruan pozicione strategjike të regjimit sionist në Tel Aviv dhe Haifa”, u citua të thoshte gjenerali Kioumars Heydari, komandant i forcave tokësore të ushtrisë, nga televizioni shtetëror.