ShBA-ja dhe Britania e Madhe janë pajtuar se Irani nuk duhet të zhvillojë apo të sigurojë kurrë një armë bërthamore.
Kjo u bë e ditur pas një takimi të mbajtur në Uashington ndërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm britanik, David Lammy.
“Ata diskutuan për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit dhe u pajtuan që Irani nuk guxon kurrë të zhvillojë apo sigurojë një armë bërthamore”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
Në takim u trajtuan edhe tema të tjera me interes të përbashkët, përfshirë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s.
Rubio dhe Lammy rikonfirmuan rëndësinë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtje si mënyrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin global.