Live

Turqia paralajmëron: Sulmet e SHBA ndaj Iranit rrezikojnë të përshkallëzojnë konfliktin në krizë globale

13:35 / 22 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi centralet bërthamore të Iranit, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i situatës mund ta shndërrojë një konflikt rajonal në një krizë globale, raporton Anadolu Agency.

“Sulmi i SHBA-së më 22 qershor ndaj centraleve bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka maksimizuar rrezikun që kemi theksuar vazhdimisht – përshkallëzimin e konfliktit dhe destabilizimin e mjedisit të sigurisë”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke.

Ankara u shpreh se është thellësisht e shqetësuar për pasojat e mundshme të këtij operacioni dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të ndalin menjëherë sulmet reciproke dhe të veprojnë me përgjegjësi për të shmangur viktima të tjera dhe dëme të mëdha.

“Mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Iranit mund të zgjidhen vetëm përmes negociatave”, theksoi Turqia, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet diplomatike.

Në të njëjtën kohë, Turqia shprehu gatishmërinë për të dhënë kontribut konstruktiv në zgjidhjen e krizës.

Reagimi vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi sulmet ajrore ndaj tre lokacioneve bërthamore iraniane, ndërsa Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një takim urgjent.

Tensionet vijojnë të rriten, me viktima të shumta në të dy anët. Sipas autoriteteve izraelite, nga sulmet iraniane kanë humbur jetën të paktën 25 persona, ndërsa në Iran, autoritetet raportojnë për mbi 430 të vrarë nga sulmet izraelite.

Shpërndaje në

U Kopjua