Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan një bisedë telefonike të enjten, duke bërë thirrje për uljen e përshkallëzimit në krizën mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa kritikuan ashpër veprimet e Izraelit dhe paralajmëruan kundër një përfshirjeje të mëtejshme amerikane në konflikt.
Sipas Kremlinit, të dy liderët dënuan sulmet izraelite, duke i cilësuar si shkelje të Kartës së OKB-së dhe normave ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Xi mbajti një ton më të matur, duke shmangur kritikat direkte ndaj Izraelit, por i bëri thirrje “veçanërisht Izraelit” që të ndalojë menjëherë sulmet për të parandaluar përhapjen e konfliktit në rajon, raporton CNN.
Mes shqetësimeve për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në një tjetër “luftë të përjetshme” në Lindjen e Mesme, Pekini dhe Moska po e paraqesin veten si zëra të arsyes dhe alternativë ndaj udhëheqjes amerikane. Xi dërgoi një mesazh të qartë ndaj Washingtonit, duke thënë se “fuqitë e mëdha duhet të punojnë për të qetësuar situatën, jo të kundërtën”.
Kina, e cila prej kohësh e ka akuzuar SHBA-në për destabilizim në Lindjen e Mesme, e ka përdorur krizën për të theksuar dobësitë e qasjes amerikane. Ekspertët kinezë fajësojnë politikën e paqëndrueshme të Donald Trump për përshkallëzimin e tensioneve në rajon, ndërsa theksojnë se Pekini po kërkon të rrisë rolin e tij si ndërmjetës paqeje dhe lojtar strategjik në rajon.
Megjithatë, pavarësisht angazhimeve diplomatike dhe propozimeve për dialog, ndikimi real i Kinës në zgjidhjen e konfliktit mbetet i kufizuar, siç u pa edhe gjatë luftës në Gaza dhe konfliktit në Ukrainë, ku Pekini ka mbajtur një rol më të heshtur përkrah Rusisë.