Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një rast të mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave nga dy shtetas kosovarë.
Gjatë një kontrolli të detajuar të ushtruar në bazë të analizës së riskut, shërbimet policore kanë konstatuar përpjekjen për të futur në Shqipëri, pa deklarim, një shumë të konsiderueshme parash të fshehura në trup.
Në kuadër të operacionit, shtetasit E. H., 41 vjeç dhe F. M., 37 vjeç, të dy me shtetësi kosovare, u kapën me 22 820 franga zvicerane dhe 555 euro, të cilat tentonin t’i fusnin në territorin shqiptar pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Shuma e parave është sekuestruar nga Policia, me cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj dy shtetasve është nisur procedimi në gjendje të lirë. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.