Izraeli ka pranuar “kushtet e nevojshme” për një armëpushim 60-ditor në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump, duke shtuar se marrëveshja e propozuar synon t’i japë fund luftës.
“Do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës,” shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social, pa zbuluar detaje mbi kushtet e këtij propozimi.
Ai tha se “katarasit dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e paqes, do ta dorëzojnë këtë propozim përfundimtar,” duke shtuar: “Shpresoj… që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë më të mirë – DO TË BËHET VETËM MË KEQ.”
Ky zhvillim vjen në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për një ndalim të luftimeve po intensifikohen, pas ofensivës izraelite që filloi si reagim ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën rreth 1,200 persona në Izrael.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, mbi 56,647 persona janë vrarë në territor që atëherë. Deri më tani nuk është e qartë nëse Hamasi do t’i pranojë kushtet e këtij armëpushimi.
Njoftimi i Trump vjen pak para takimit të paralajmëruar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që do të zhvillohet javën tjetër. Presidenti amerikan ka paralajmëruar një qëndrim të qartë në këtë takim, duke thënë se do të jetë “shumë i ashpër.”
