Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të mërkurën se takimi i tij me presidentin amerikan Donald Trump u përqendrua te përpjekjet për lirimin e pengjeve në Gaza, si dhe te vendosmëria e tij për të “eliminuar” aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit.
Netanyahu shtoi se diskutuan edhe pasojat dhe mundësitë që vijnë nga “fitorja e madhe ndaj Iranit”, gjatë vizitës së tij të tretë në SHBA që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump më 20 janar.
Takimi i së martës ishte i dyti brenda dy ditëve, në një kohë kur ndërmjetësi amerikan për Lindjen e Mesme sugjeroi se Izraeli dhe Hamasi po afrohen drejt një marrëveshjeje për armëpushim pas gati dy vitesh lufte.
Ndërkohë, një delegacion nga Katari – që mikpret bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit – u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë para mbërritjes së Netanyahut, sipas Axios. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi menjëherë mbi raportin.