Live

Gucati reagon ndaj dënimit të Pjetër Shalës: Vendim politik, i papranueshëm dhe i padrejtë

19:08 / 14 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës, i cili u dënua me 13 vite burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gucati e ka quajtur vendimin të motivuar politikisht, duke thënë se është bërë për të kënaqur Serbinë dhe për të dëmtuar reputacionin e UÇK-së.

“Vendimi është politik, nuk është pritur mirë. Është bërë veç për me i kënaq epshet e Serbisë. 13 vitet për Pjetër Shalën janë padrejtësi e madhe,” ka deklaruar Gucati.

Ai ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të përfshirë në procesin gjyqësor, duke thënë se njëri prej tyre ka pretenduar se e ka njohur Shalën nga një distancë prej 30 metrash, thjesht sepse e kishte parë duke vendosur dorën mbi një mur.

“Si është e mundur ta njohësh një njeri nga 30 metra distancë? Ai dëshmitar nuk ka thënë të vërtetën. Kjo është mënyra se si po ndërtohen rastet – me bashkëpunëtorë dhe gënjeshtarë. Vendimi është i papranueshëm për ne,” u shpreh ai.

Gucati theksoi se nuk kanë besim në drejtësinë e kësaj gjykate, e cila sipas tij po ndjek dhe gjykon ushtarët e UÇK-së padrejtësisht. Ai paralajmëroi se nesër do të vizitojnë Hagën, ndonëse nuk presin ndonjë ndryshim të madh në këtë vendim.

“Nuk ka gjasa që aktakuza të hidhet poshtë apo dënimi të zvogëlohet, por e mira e të mirës do të ishte që kjo gjykatë të punojë si duhet dhe jo të mbështetet në njerëz që gënjejnë,” përfundoi Gucati.

Ai përkujtoi se kanë qenë gjithmonë kundër listave të dëshmitarëve dhe mënyrës si po trajtohen rastet që lidhen me luftën e UÇK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua