Organizata e Veteranëve të Luftës së bashku me kategoritë e dala nga lufta kanë reaguar pas lajmit të Klan Kosovës se Prokurori i Gjykatës Speciale, John Devaney, më parë ka qenë gardian në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen.
Klan Kosova mëson se ish-presidenti Hashim Thaçi e ka pikasur atë burrë i ulur në sallën e paraburgimit dhe e ka alarmuar gjyqtarin Charles Smith i cili ka kërkuar të vazhdohet në seancë të mbyllur, e gjitha dita.
OVL e UÇK-së tha se ky është një zhvillim skandaloz dhe e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara.
“Si është e mundur që një individ me histori direkte të kontaktit dhe mbikëqyrjes së të akuzuarve, të avancojë befas në pozitën e një prokurori? A është ky drejtësi apo një farsë e ndërtuar mbi urrejtje të kamufluar dhe urdhra të errët politik?”.
“Ky veprim e zhvesh përfundimisht këtë proces nga çdo petk i paanshmërisë. Ai konfirmon dyshimet tona se procesi nuk është as i drejtë dhe as ligjor, por një ndjekje politike e organizuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, OVL e UÇK-së i bëri thirrje opinionit publik, shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të mos heshtin përballë këtij skandali që rrezikon jo vetëm të drejtat e të akuzuarve, por edhe vetë themelet e drejtësisë ndërkombëtare.
“Ky nuk është më vetëm një gjykim, kjo është një padrejtësi e montuar, e cila po përpiqet të rishkruajë historinë tonë të lavdishme të çlirimit”, thuhet tutje në reagim.