Kosova po përballet me një valë të fortë zjarresh që kanë përfshirë shumë rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe tragjedi për fermerët lokalë. Vatrat e zjarrit kanë shpërthyer në komunat si: Prishtinë, Prizren, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Istog, Drenas dhe Podujevë, duke shkaktuar ndërhyrje intensive të njësive emergjente dhe mobilizim të gjerë qytetarësh për të kontrolluar flakët dhe parandaluar përhapjen e tyre.
Eksperti i emergjencave Tahir Ahmeti, në një intervistë për Klankosova.tv theksoi se numri i madh i zjarreve në Kosovë këtë verë vjen si pasojë e temperaturave ekstreme, thatësirës së zgjatur, erërave të forta dhe faktorëve njerëzorë, si djegia e mbeturinave dhe pakujdesia në natyrë.
Ai po ashtu përmendi edhe zjarret e qëllimshme si një problem serioz, shpesh të nxitura nga konfliktet për pronë apo vandalizmi, dhe theksoi se mungesa e ndëshkimeve konkrete e bën situatën më të vështirë.
Ndër zonat më të rrezikuara ai përmendi rajonet malore si Prizreni, Sharri, Rrafshi i Dukagjinit dhe Anamorava, ku terreni i vështirë dhe mungesa e kapaciteteve zjarrfikëse rrisin rrezikun.
Pse po ndodhin kaq shumë zjarre sot në territorin e Kosovës?
Arsyet kryesore për rritjen e numrit të zjarreve janë: temperaturat ekstreme dhe thatësira, që e bëjnë vegjetacionin shumë të ndjeshëm ndaj zjarrit; era e fortë, e cila ndihmon përhapjen e flakëve në një kohë shumë të shkurtër; faktori njeri, veçanërisht djegia e mbeturinave bujqësore dhe pakujdesia gjatë në natyrë; zjarret e qëllimshme, që fatkeqësisht ndodhin për motive të ndryshme – konflikt për pronë, hapje kullosash, ose edhe vandalizëm; mungesa e ndëshkimit të duhur, që bën që shumë prej shkaktarëve të mos mbajnë përgjegjësi.
Çfarë mund të bëhet në parandalimin e tyre?
Parandalimi kërkon një qasje shumëdimensionale: Fushata ndërgjegjësuese publike, sidomos në fshatra dhe rajone me rrezik të lartë, pastaj ligje më të ashpra dhe ndëshkime më konkrete për ata që shkaktojnë zjarre me pakujdesi ose qëllim. Edukimi i fermerëve dhe komuniteteve lokale për mënyra alternative të pastrimit të tokës pa i djegur ato.
Sipas Ahmetit, për parandalimin dhe menaxhimin më efikas të zjarreve nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Ai sugjeron fushata vetëdijësuese, ndëshkime më të rrepta, edukim për komunitetet rurale dhe fermerët, si dhe investime në pajisje moderne dhe njësi të specializuara të reagimit të shpejtë. Ahmeti nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me KFOR-in për përdorimin e helikopterëve në raste emergjente, përfshirjen më të gjerë të FSK-së, si dhe ushtrime të rregullta për të gjitha ekipet e emergjencës në mënyrë që reagimi të jetë më i shpejtë dhe më i organizuar në terren.

Sa efikas është menaxhimi i tyre?
Efikasiteti është i kufizuar dhe varet nga disa faktorë. Kapacitetet e brigadave të zjarrfikësve janë të kufizuara në shumë komuna, si për nga numri, ashtu edhe për nga pajisjet. Koordinimi ndërinstitucional shpesh mungon ose është i ngadalshëm. Mungesa e planeve të detajuara të reagimit emergjent për çdo komunë ose rajon me rrezik të lartë. Terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve pyjore shpesh e bën të pamundur arritjen me kohë të zjarrfikësve në vatra zjarri.
Çfarë mund të bëhet në trajtimin më efikas të tyre?
Përmirësimi i menaxhimit kërkon masa konkrete: Formimi i Njësive të Reagimit të Shpejtë me pajisje moderne dhe trajnim të specializuar për zjarret në natyrë. Investimi në mjete ajrore (helikopterë për shuarje zjarresh), sidomos gjatë muajve kritikë të verës – qoftë me blerje ose me bashkepunim me te mash me KFORIN si reagus i trete ne kosove, qe posedon helikopter. Përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacione të shpejta, siç ndodh shpesh tashmë. Ushtrime të rregullta për të gjitha ekipet e emergjencës.
Cilat vende të Kosovës janë më të rrezikuara?
Zonat më të rrezikuara përfshijnë: Rajoni i Prizrenit: për shkak të terrenit malor dhe pyjeve të dendura (shpesh të paarritshme me mjete)’ Sharri dhe Dragashi, për shkak të kullotave që digjen për hapje bari ose për motive tradicionale; Rrafshi i Dukagjinit (Pejë, Deçan, Gjakovë) ka po ashtu pyje të gjëra dhe zona rurale me aktivitet bujqësor. Anamorava (Gjilan, Kamenicë) dhe Podujeva, gjithashtu shfaqin rrezikshmëri në verë, për shkak të bimësisë së dendur dhe terrenit të thatë, por edhe zonat tjera në keto temperatura ektreme nuk perjashtohen nga zjarret e mundshme. Duhet pasur parasysh se komunat me shumë fshatra dhe pak zjarrfikës janë më të rrezikuara.