Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas shpërthimit të mbi vatrave të zjarrit në mbarë vendin.
Ajo me anë të një postimi në Facebook ka shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë, njofton Klankosova.tv
“Komuna të shumta të vendit tonë po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore. Situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet. Në këto momente, shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë qytetarët e prekur, me fermerët që po humbin frytet e mundit dhe djersës së tyre, si dhe me ekipet emergjente që po punojnë pa u ndalur për t’i vënë nën kontroll këto zjarre”.
“Mirënjohje të thellë për zjarrfikësit tanë, për punonjësit e emergjencës dhe për të gjithë vullnetarët që me guxim dhe përkushtim janë në vijën e parë të përballjes me flakët.Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, shkruan e para e shtetit.
Osmani i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse.
“Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve.Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë”, shtoi ajo.