Viruse të ndryshme sezonale janë përhapur në disa vende të Kosovës, duke shtuar vizitat e qytetarëve nëpër ordinanca.
Megjithatë, specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismaili, në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, thotë se shpesh po bëhen analiza dhe ekzaminime të panevojshme.
“Na ndodh që pacientët vijnë me teste laboratorike, me rëntgen, dhe është pak e habitshme sa shumë shfrytëzohen këto analiza në Kosovë. Edhe si mentor klinik, shpesh shoh që pacientët kërkojnë hemogram, CRP ose analiza të tjera, por për virozat e zakonshme nuk ka nevojë për to. Për tri ditë nuk duhet bërë asgjë, përveç rasteve kur fëmija është në gjendje shumë të rëndë”, tha Ismaili.
Ai thekson se organizmi ka nevojë për kohë që të krijojë imunitet dhe ta tejkalojë vetë virusin.
“Do të dekurajoja praktikat e analizave dhe rëntgenëve të panevojshëm. Një fëmijë ose i rritur me temperaturë nga një virus sezonal, zakonisht e kalon vetë pa pasoja. Kjo është diçka krejtësisht e zakonshme”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.
Ndiqni më shumë këshilla mjekësore, në videon vijuese: