Live

Zgjedhjet e 12 tetorit, regjistrohen afro 44 mijë votues përmes postës

15:17 / 17 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha e votimit përmes postës për 43,933 shtetas të Kosovës që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale.

U.D. Drejtori i SKQZ dhe Drejtor i ZRCKFSP, Besnik Buzhala, në mbledhjen e së mërkurës prezantoi raportin lidhur me përgatitjet e procesit zgjedhor, duke theksuar se një pjesë e madhe e pakove me fletëvotime tashmë janë dërguar jashtë Kosovës.

Gjatë prezantimit të këtij raporti ai bëri të ditur se deri më tani, rreth 10,000 pako individuale me fletëvotime janë dërguar jashtë Kosovës, ndërsa edhe 5,000 të tjera janë kompletuar dhe do të dërgohen gjatë ditës.

“Periudha e votimit përmes postës ka filluar. Sipas konfirmimit të Postës deri tani janë dërguara rreth 10 mijë pako me fletëvotime. Janë 43,933 votues që janë regjistruar suksesshëm. Ky proces do të përfundojë në ditë e vikendit të kësaj jave”, tha ai, raporton EO.

Në këtë mbledhje, KQZ konfirmoi gjithashtu adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës. Kutitë postare tashmë janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Shpërndaje në

U Kopjua