Live

Peci kritikon protestën në Hagë: Pamjet nuk më pëlqyen, mund të ndikojnë negativisht

14:41 / 17 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Faton Peci, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale, përfshirë protestën e mbajtur në Hagë dhe dëshminë e ish-zyrtarit amerikan James Rubin.

Në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, Peci u shpreh se, për shkak të angazhimit në fushatën zgjedhore, nuk ka arritur t’i ndjekë në detaje zhvillimet e fundit.

“Për besë nuk po mundem me arrit me i ndjek të gjitha zhvillimet që janë duke ndodhur, për shkak të dinamikës së madhe që e kam në zgjedhjet komunale. Nuk i di krejt zhvillimet që kanë ndodhur, kam parë disa tituj, por deri sa të jap komente, kam dëshirë me qenë i mirëinformuar. Nuk parapëlqej me dhënë deklarata pa qenë i informuar,” deklaroi ai.

Peci u ndal edhe te protesta e fundit në Hagë, duke shprehur shqetësimin se forma e organizimit mund të ketë efekt të kundërt ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“E di që ka pasur një protestë në Hagë. Unë personalisht e kam bindjen, pa dasht me paragjyku ose me ndiku në çfarëdo çështje të sistemit të drejtësisë, të cilin e kemi themeluar si shoqëri – mendoj se organizimi i tillë, si protesta ku edhe ajo pjesa e rrethojës në Hagë tentohet të demolohet, më shkakton drojë që mundemi me dëmtu procesin, në disfavor të figurave të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor,” u shpreh Peci.

I pyetur për mungesën e reagimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me zhvillimet në Hagë, Peci tha se një reagim i tillë duhet të vijë nga Ministria e Drejtësisë.

“Po flitet për një reagim të rëndësishëm, por kur ka reagim nga ne, po thonë që po ndikojmë në procesin e tyre. Edhe një reagim të tillë duhet ta bëjë ministri në detyrë i Drejtësisë,” tha ai.

Në fund të intervistës, Peci ritheksoi se nuk ka ndjekur të gjitha zhvillimet, por disa pamje nga protesta nuk i kanë lënë përshtypje pozitive.

“Unë, me thanë të drejtën, nuk e kam përcjellë krejt. Çka kam parë janë disa pamje nga ajo protestë që mua nuk më kanë pëlqyer. Arsyeja pse është se mundet me ndiku negativisht në procesin gjyqësor,” përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua