Live

A do të largohen serbët nga policia e ushtria e Bosnjës nëse dënohet Dodiku?

17:06 / 25 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Nuk ka asnjë paralajmërim se punonjësit e Forcave të Armatosura të Bosnjë dhe Hercegovinës do të largohen nga vendet e tyre të punës nëse dënohet Millorad Dodik.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë ministri i Mbrojtjes i Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Hellez.

Ai u përgjigj kështu, pasi Dodik, presidenti i Republikës Sërpska (RS), gjatë fundjavës deklaroi për RT Ballkan se, nëse Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës e dënon atë, ky entitet i Bosnjës do të kërkojë në mënyrë të njëanshme që përfaqësuesit serbë në ushtri dhe polici në nivel shtetëror të tërhiqen nga ato institucione, dhe se RS-ja do të “krijojë sistemin e saj”.

Dodik po gjykohet për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, dhe vendimi pritet të shpallet të mërkurën, më 26 shkurt.

Hellez rikujton se çdokush që nuk paraqitet në punë pa një arsye të justifikuar, shkarkohet.

Në të njëjtën kohë, kryetari i Komunës së Sarajevës Lindore, Lubisha Qosiq, i tha REL-it se vlerëson që në territorin e këtij qyteti jetojnë disa mijëra serbë të punësuar në institucionet shtetërore.

Qosiq, i cili është anëtar i Presidencës së partisë së Dodikut, Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), pretendon se ende nuk është negociuar për largimin e zyrtarëve nga këto institucione.

SIPA u themelua në vitin 2002 me miratimin e Ligjit për Agjencinë e Informacionit dhe Mbrojtjes në Parlamentin e shtetit dhe është agjencia kryesore e zbatimit të ligjit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Forcat e Armatosura të Bosnjë dhe Hercegovinës u krijuan më 1 janar 2006, pas reformës së sistemit të mbrojtjes, ndërsa disa muaj më parë Parlamenti i Bosnjës kishte miratuar Ligjin për Mbrojtjen.

Shpërndaje në

U Kopjua