Bashar al-Assad, presidenti i rrëzuar i Sirisë, ka shpëtuar për mrekulli nga një atentat i dështuar, sipas burimeve të kanalit rus General SVR.
Atentati, që thuhet se ndodhi të dielën, e la atë të helmuar, duke i shkaktuar probleme me frymëmarrjen. Mjekët që nxituan në banesën e tij në Moskë, ku ai ndodhej me familjen, arritën ta shpëtonin.
Lajmi vjen në një kohë kur qarkullojnë thashetheme se bashkëshortja e tij, Asma Asad, ka shprehur dëshirën për të kërkuar divorcin dhe të zhvendoset në Londër. Assad, që është nën mbrojtjen e regjimit të Kremlinit, është strehuar në Moskë që nga 8 dhjetori 2024.
Kanali General SVR, i cili dyshohet se drejtohet nga një ish-spiun rus, pohon se 59-vjeçari Assad ka kërkuar kujdes mjekësor të menjëhershëm pasi filloi të kollitej dhe ndiente vështirësi në frymëmarrje, duke u ndjerë sikur po mbytej.
Gjendja e tij u stabilizua të hënën pas trajtimit mjekësor. Zyrtarët rusë nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar për ngjarjen.