Live

Abdixhiku: Propozimi ynë për Qeveri të Unitetit u refuzua apriori – s’guxon bllokada e Kuvendit të jetë normalitet

19:31 / 09 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shkruar në Facebook për refuzimit që iu bë propozimit të tij për Qeverinë e Unitetit, shkruan Periskopi.

Abdixhiku tha se ky refuzim nuk u bë me debat as me kudër-mendim, por u refuzua apriori.

Kështu Abdixhiku thotë se pasnesër Kuvendi mblidhet për herë të 30, duke thënë se ky s’guxon të jetë normaliteti ynë.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Thirrja jonë e mbrëmshme për një Qeveri të Unitetit – për një dalje të përbashkët nga kriza – u refuzua impulsivisht sot në mëngjes. Jo me debat. Jo me kundërmendim, por me refuzim apriori. Në disa raste, edhe me ofendim – sikur nuk dinë të japin një mendim pa ofenduar.

Pas refuzimit, u vazhdua me të zakonshmen e pazakontë. Me rehatinë e seancave që për përmbajtje kanë vetëm numrin rendor; e 30-ta me radhë pasnesër. Ky s’guxon të jetë normaliteti ynë i ri. Gjendja e tanishme është karikaturë politike.

Në mungesë të një marrëveshje – nuk ka shumicë.

Në mungesë të një shumice – nuk ka zgjidhje.

Në mungesë të një zgjidhjeje – duhet marrëveshje politike. Pra kthehemi në fillim.

Qeverinë e Unitetit, atë kalimtaren, pra të tranzicionit, atë gjithëpërfshirësen, nuk e propozova për LDK-në. As për veten. E propozova sepse shteti është bllokuar. Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo.

Gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu duke pritur.

Andaj dhe do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje. Do të vazhdojmë me prezantimin publik të Agjendës 15 pikëshe – një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare. Si përmbushje e vakumit deri aty; si përmbajtje e vetme për dalje nga kriza.

Mund të refuzojnë gjithçka, sërish.

Por si LDK, do të përpiqemi të ofrojmë dhe gjejmë zgjidhje! Sepse më mirë të jemi të vetëm në përpjekjen për zgjidhje, se sa pjesë të bllokadës pa qëllim.

Shpërndaje në

U Kopjua