Live

Aksion kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prishtinë – arrestohen një avokat dhe një instruktor

19:30 / 11 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një aksion të gjerë në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, pas hetimeve disa mujore lidhur me veprimtari të dyshuara kriminale.

Sipas komunikatës së përbashkët për media, aksioni u zhvillua në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që autorizonte kontrollin dhe sekuestrimin e përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse. Hetimet kishin për qëllim zbardhjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, ku dy persona janë arrestuar: V.H, me profesion avokat, dhe D.I, instruktor.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar me qëllim përfitimi pasuror personal, duke falsifikuar dokumente dhe më pas i kanë legalizuar ato si të vërteta, mashtruar individë të ndryshëm dhe duke shkaktuar dëm financiar që kap shifrën e disa milionë eurove.

Në kuadër të aksionit janë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me veprat penale të përmendura. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet kompetente do të vazhdojnë me veprimet procedurale për mbledhjen e mëtejshme të provave brenda afateve ligjore.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale.

Shpërndaje në

U Kopjua